Postuar më: 02 Dhjetor 2013

15 Pyetje për Bashkimin Europian

Ministria e Integrimit ka botuar librin “15 Pyetje për Bashkimin Evropian” në kuadër të Strategjisë së Komunikimit me Publikun dhe Protokollit të Bashkëpunimit për Integrimin Evropian ndërmjet Ministrisë së Integrimit dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Ky botim, i realizuar me kontributin financiar të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, do të shërbejë si tekst bazë për zhvillimin e disa orëve mësimore për integrimin evropian në programin e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të vendit, me perspektivën që vitin e ardhshëm shkollor të zhvillohet një lëndë e posaçme për integrimin evropian.
 
Iniciativa e ndërmarrë nga Ministria e Integrimit, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, synon përmirësimin e informimit dhe edukimit të të rinjve shqiptarë me vlerat e Bashkimit Evropian, të tilla si solidariteti, paqja, siguria e begatia, por synon gjithashtu t’i informojë të rinjtë në lidhje me Procesin e Integrimit Evropian të Shqipërisë dhe veçanërisht Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit.
 
Libri është ndërtuar në formën e pyetje – përgjigjeve dhe trajton tema të tilla si historiku i Bashkimit Evropian, kuadri institucional i BE-së, domethënia e integrimit evropian, Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit, dhe perspektiva e Shqipërisë për t’u bërë anëtare e BE-së. Në këtë mënyrë të rinjtë do të kenë mundësi të marrin njohuritë bazë për organizimin kompleks të Bashkimit Evropian, nëpërmjet një gjuhe të thjeshtë dhe larg teknikaliteteve që shpeshherë rezultojnë të vështira për t’u kuptuar edhe nga vetë ekspertët e fushës.

Dokumentet e bashkangjitur